Berisha: Qeveria po ndjek një praktikë mafioze për procesin e zgjedhjes së Presidentit!

Në një dalje për mediat pas mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike për të diskutuar për Presidentin e ri, Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se sipas tij po ndjek një praktikë mafioze për procesin e zgjedhjes së Presidentit. Ai u shpreh se nuk do ta pranonte kurrë një proces negociatash me PS-në kur këto të fundit e kanë zgjedhur vetë Alibeajn. Para mediave, Berisha tha se kjo praktikë merr fund dhe se PD-ja nuk do ta njohë kurrë një praktikë të tillë.
“Në mbledhje të grupit theksova se opozita s’mund të përfaqësohet kurrë me të emëruar nga Taulant Balla. Kjo praktikë merr fund dhe nuk do ta njohë kurrë PD një praktikë të tillë. Së dyti, denoncova me forcën më të madhe praktikën mafioze që ndjek Edi Rama për procesin e zgjedhjes së Presidentit.Praktikë kjo që diskrediton institucioni ne Presidencës dhe vetë zgjedhjen e Presidentit. Praktikë që përlyen qartësisht me aspektet e saj mafioze çdo lloj pjesëmarrjeje një proces që në kushte normale do merrnin pjesë të gjitha palët. Praktikë që nuk ka asnjë qëllim tjetër vetëm të nxjerrë nga zyrat e tij njeriun që zgjedh dhe që komandon”, tha Berisha.
Berisha tha se sipas tij kryeministri Edi Rama do e zgjedhë vetë emrin e presidentit edhe sikur të mos jetë propozuar.
“Unë i quaj ato votime nul and void, të paqena. Nuk mund të pranoj vendime të paqena. Ata kanë bërë zgjidhjet e tyre, personalisht unë denoncoj këtë farsë të shëmtuar të zgjedhjes së presidentit. Imagjinoni kur zhvillohet në zarfe sekrete brenda grupit parlamentar, se si do të jetë me opozitën. Në radhë të parë përcaktohen rregulla të cilat duhet të kenë ligjin e parë transparencën. Më thoni mua, kush u propozua nga anëtarët e grupit parlamentar. Ai që do Edi Rama. Mund të kenë propozuar 40 emra dhe ai zgjedh emrin që do. Prandaj u vu sekreti. Thirret shoqëria civile, i thonë dërgoni email. Kjo dëshmon se kemi të bëjmë me narkoshtet. Nuk mundet opozita të deligjitimojë një proces“, tha Berisha.
I pyetur nëse ka një emër për Presidentin e ri, Berisha tha se “mund të propozosh po të kesh vota. S’kemi pse tallemi me veten”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




