Kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e deputetit Bllako, Rama: Përgjegjësia është individuale

Kryetari i PS, Edi Rama, menjëherë pas mbledhjes së kryesisë së PS, ka bërë një koment, lidhur me kërkesën e SPAK-ut, për heqjen e imunitetit të deputetit socialist, Ali Bllako. Zoti Rama deklaroi se “deputetët janë të popullit, por individë të vetvetes! Përgjegjësia është individuale”.
Zoti Rama e ka cilësuar si një përgjigje e qartë për të gjithë ata që nuk besonin në një Reformë në Drejtësi. Kjo kërkesë, sipas Ramës, është tregues i qartë që kjo reformë funksionon dhe se politika nuk është një mburojë për askënd.
“Ta merrni vesh që nuk ka të fortë. Janë të gjithë të barabartë par ligjit. Po ndodh ajo që të gjithë nuk besonin, se në Shqipëri do të bëhet një Reformë në Drejtësi. Nuk besonin se do të vinte dita se edhe njerëz me imunitet do të shkonin para drejtësisë. Në nivelin personal patjetër që jam i keqardhur, por në nivelin e detyrës sigurisht që i shoh këto që ndodhin si rezultat i asaj që kemi bërë. Nuk ka përgjegjësi kolektive në demokraci. Përgjigjia ime është në parim. Këtë nuk e caktoj as unë, e as ju. Këtë e cakton drejtësia. Unë nuk jam prokuror. Deri kur Drejtësia të thotë fjalën e fundit, këta njerëz prezumohen të pafajshëm”, tha Rama.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




