Gjiknuri: Presidenti i ri të jetë mbi palët!

Politikë | 5 vite më parë

PS prej tre mandatesh në pushtet po synon të zgjedhi një president mbi palët. 
Deklarata është bërë sekretari i përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri. Në krye të shtetit duhet të vijë dikush që është mbi palët dhe nuk ka si qëllim ta kthejë zyrën e Presidencës në një laborator për interesa personale, njëjtë siç ka vepruar Ilir Meta, është shprehur ai.
Sipas zotit Gjiknuri, Meta është ekstremi politik i Presidentit. Ai ka qenë në shërbim të opozitës dhe ka përdorur postin e presidentit për interesa personale. Më tej Meta ka krijuar terrenin që pasi t’i mbarojë mandati të futet në lojën politike. 
Zoti Gjiknuri thekson se PS synon një konsensus mes grupeve parlamentare. Por ai tha se , PS i ka votat e nevojshme për ta zgjedhur presidentin, në rast se një gjë e tillë nuk arrihet. 
“PS ka autorizuar tre anëtarë kryesie për të negociuar me grupet e ndryshme parlamentare për të gjetur një kandidaturë. Ne synojmë të kemi një president që di të qëndrojë mbi palët. Të jetë një figurë që nuk ka interesa politike kur shkon në atë zyrë. Për ne nuk ka rëndësi përkatësia e kaluar politike, bindjet e majta apo djathta sesa karakteri i tij dhe sa do të dijë ai të ushtrojë detyrën shumë në ndryshe se ç’bëri presidenti i fundit që është aktualisht në detyrë” tha zoti Gjiknuri.
Zoti Gjiknuri tha se mundësia për të vendosur një grua në krye të shtetit është shumë i lartë, kjo sipas nuk është më habi pasi PS e ka treguar qartë që në pozicionet drejtuese shumica janë gra.
“Probabiliteti është i lartë që një grua ta kemi në krye të shtetit. Nuk mendoj që në Shqipëri do ishte habi që një grua do ishte presidente se ne gratë i kemi në shumë pozicione drejtuese, për mua ka të bëj personaliteti, qoftë grua qoftë burrë mbi ato objektiva dhe pritshmëritë që kanë shqiptarët pas eksperiencës jo të mirë me presidentin e viteve të fundit që ka qenë për mua ekstremi politik i ushtrimit të detyrës nga një president”, tha zoti Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste sqaroi edhe pikat që do të diskutohen në Kongresin që do të zhvillojë Partia Socialiste më 9 prill dhe që kanë të bëjnë dhe me riorganizimin e kësaj force për t’iu përgjigjur sfidave të ardhshme. Menjëherë pas mbajtës së Kongresit, zoti Gjiknuri bëri me dije se do të nisë puna për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të degëve të PS-së në të gjitha qytetet. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme