Protestat për çmimet, Rama: Nuk mund të protestohet kundër qeverisë për shkak të pasojave të një lufte!

Kryeministri Edi Rama i cilëson të turpshme protestat që po mbahen prej gjashtë ditësh kundër rritjes së çmimeve në Tiranë dhe në rrethe.
Gjatë një bashkëbisedimi në Facebook me qytetarët kryeministri thekson se nuk mund të protestohet kundër qeverisë për shkak të pasojave të një lufte që nuk ka nisur kjo qeveri e nuk ndal dot kjo qeveri.
“Ka pasur edhe protesta të dhunshme, ka pasur edhe protesta që kanë degraduar në një formë e në një tjetër, por protestë më të turpshme se kjo s’ka pasur edhe as nuk do të ketë ndonjëherë. Për çfarë protestohet sot? Kundër kujt protestohet? Të gjitha vendet që po e përjetojnë me të njëjtin shqetësim kërcimin e çmimeve, por po protestojnë kundër agresionit rus mbi Ukrainën, askush nuk ka protestuar kundër qeverisë së vet. Çdo qeveri mund të ketë 1 mijë arsye për të protestuar kundër saj, por nuk mund të protestohet kundër qeverisë për shkak të pasojave të një lufte që nuk ka nisur kjo qeveri e nuk ndal dot kjo qeveri. Një prej protestuesve tha ‘nuk duhet ta lëmë këtë rast të shpëtojë, se po shpëtoi edhe kësaj here, nuk e kapim dot më’. Po çlidhje ka qeveria e Shqipërisë me rritjen lineare të çmimeve në të gjithë botën“, tha Rama.
Duke ju drejtuar qytetarëve por në vecanti protestuesve Rama theksoi se sado të zgjasë apo sado i madh të jetë numri i atyre që protestojnë nuk do të lëvizë asnjë taksë karburanti. Kjo sipas Ramës sepse Shqipëria ka vendin me taksat më të ulëta. Rama e përmendi disa herë rrezikun e një Luftë të Tretë Botërore, ndërkohë që në Shqipëri protestohet.
“Qasja e asaj proteste është mashtruese për të tërhequr sa më shumë njerëz të shqetësuar ndaj kësaj që po ndodh. Bota proteston kundër luftës që të ndalojë lufta dhe të mos paguaj edhe vete pasojat e luftës, por nuk del të protestojë pse u rritën çmimet e t’i thotë qeverisë që e ke ti fajin. Këtu flitet që mund të fillojë Luftë e Tretë Botërore, këtu thonë ‘po na shpëtoi sot, nuk e kapim më’. Rrini në protestë sa të doni, jo kaq sa ishit sot, por 10-fish, 100-fish, 300-fish nuk lëviz asnjë taksë karburanti, zero! Jo se nuk dua unë, por sepse nuk bëhet dot. Sot kemi vendin me taksat më të ulëta dhe ky është fakt“, tha Rama
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




