Shqipëri-Kosovë, Sekretariat i përbashkët për implementimin e marrëveshjeve

Politikë | 5 vite më parë

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në deklaratën e përbashkët me homologen e saj nga Kosova është shprehur se Shqipëria kërkon njohjen e krimeve të luftës nga Serbia. Dy ministret ranë dakord që Shqipëria dhe Kosova të ngrenë një Sekretariat të përbashkët për impelementimin e marrëveshjeve. “Ngritja e një Sekretariati të përbashkët si një strukturë operative do të jetë një mekanizëm efikas për ndjekjen dhe realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri tani dhe të atyre që me gjasë do të nënshkruhen nga tani e tutje”, tha Xhaçka.

Në mënyrë të veçantë, shtoi Xhaçka, “u angazhuam për zbatimin e plotë të marrëveshjes mes dy ministrive të jashtme mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme nëpërmjet harmonizimit të veprimeve dhe aksioneve të diplomacisë për arritjen e objektivave strategjikë kombëtarë, ku përparësi mbetet anëtarësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe në organizatat ndërkombëtare”.

Xhaçka theksoi se, “ky bashkërendim i aksionit diplomatik do të mbështetet nga shtimi i përfaqësive të përbashkëta, posaçërisht në zona si Afrika dhe Azia, apo edhe nga ndërthurja e punës së diplomatëve të Shqipërisë dhe të Kosovës në ambasadat ekzistuese”.

Gjithashtu Xhaçka nënvizoi se, “koordinimi në kuadër të diplomacisë ekonomike është nevojë parësore për të dy vendet”.

Po ashtu, Xhaçka u shpreh se, “vendosëm të promovojmë konkursin fotografik “Colors of Albanians”, duke shtuar se, “Konkursi do të hapet në nëntor në Shqipëri, për t’u mbyllur më pas në Kosovë”.

Xhaçka theksoi se, Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në krahun e Kosovës. Mbështetja më e fortë dhe avokatja më e pa kompromis e Kosovës. Për ne Kosova, e ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja e Shqipërisë janë të lidhura ngushtë dhe ne do të bëjmë çdo gjë që Shqipëria mund të bëjë për të avancuar interesat e Kosovës”.

“Shqipëria do të ngrejë zërin për Kosovën, pa u lodhur, siç ka bërë gjithmonë. Dhe ashtu siç ndodh edhe sot, edhe me BE-në, ku siç besoj e dini, kemi lobuar, por edhe kemi kritikuar hapur padrejtësinë që i është bërë Kosovës nga Brukseli, duke mos e mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave”, tha Xhaçka.

Ajo shtoi se, “ne e kemi mbështetur Kosovën edhe kur askush nuk kujtohej për tragjedinë e Kosovës dhe kjo për faktin e thjeshtë që duke mbështetur Kosovën ne mbështesim Shqipërinë dhe shqiptarët”.

“E kemi mbështetur vendosjen e reciprocitetit për targat si një e drejtë legjitime e Kosovës dhe kemi mbështetur operacionin anti-krim në veri si një e drejtë sovrane e Kosovës. Por ne besojmë po ashtu, siç besojnë edhe partnerët tanë të rëndësishëm strategjikë, pa të cilët le të flasim hapur, Kosova nuk do të ishte sot as e lirë, as e pavarur, se dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit dhe i takon autoriteteve të Kosovës që edhe këtu të udhëheqin me forcën e shembullit në këtë drejtim”, tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka nënvizoi se, “realizimi i dialogut duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore që patjetër mundëson njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve. Anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe gjithçka tjetër që pritet për interesat shtetërore të Kosovës”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme