Komisioni Hetimor, Meta nuk paraqitet në seancë, akuzon Kuvendin se po kryen hetim të paligjshëm për të

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kërkuar që të shpërbëhet Komisioni Hetimor i ngritur për hetimin e tij dhe ky proces të marrë fund. “Kuvendi i Shqipërisë, për t`u rikthyer në veprimtari normale, dhe për të ndërprerë gjendjen e antikushtetutshmërisë dhe shkeljes së ligjit, duhet që pa vonesë të ndërmarrë këto vendime: Të shfuqizojë vendimin për miratimin e raportit dhe ngritjen e Komisionit Hetimor; Të ndërpresë menjëherë çdo lloj procedure hetimore parlamentare që po zhvillohet nga Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur sipas përbërjes së vendimit nr. 45/2021, datë 7.5.2021 të Kuvendit të Shqipërisë; Të ndërpresë çdo veprimtari parlamentare, legjislative, politike, vendimmarrëse që cenon parimet e shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, dhe të mos ndërmarrë nisma legjislative apo vendime të rëndësishme që cenojnë interesat e shtetit dhe të shtetasve, në këtë periudhë në përfundim të mandatit të tij; Të ndërpresë çdo veprimtari që përbën tejkalim të funksioneve të Kuvendit dhe ndërhyrje në kompetencat e Presidentit të Republikës, apo kufizim të rolit të Tij, apo të veprimtarisë së organeve e institucioneve të tjera kushtetuese.” thuhet në shkresë.
Nëpërmjet një shkrese zyrtare Kreu i shtetit akuzon Kuvendin se po cenon balancën e pushteteve dhe po merr më shumë kompetenca seç duhet. “Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një Komision Hetimor, në shkelje flagrante të parimeve kushtetuese për një proces të rregull ligjor dhe procedurave të detyrueshme për zbatim; Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një Komision Hetimor, pa identifikuar asnjë shkelje të ndonjë dispozite kushtetuese, apo kryerjen e ndonjë krimi të rëndë; Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një Komision Hetimor, në mënyrë fiktive, pa objekt.
“Presidenti i Republikës e ka përmbushur dhe do të vijojë ta përmbushë detyrimin kushtetues për të qenë transparent në raport me popullin shqiptar, pasi çdo akt, vendimmarrje, dekret etj., i ka bërë publike në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës dhe në mjetet e informimit publik”, thekson presidenti ilir Meta.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




