Basha : Do ta luftojmë dhe rrëzojmë regjimin Rama-Doshi dhe do t’jua u kthejmë Shqipërinë shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka premtuar se do ta luftojë dhe rrëzojë regjimin Rama-Doshi dhe do t’jua u kthejë Shqipërinë shqiptarëve.
Deklaratën e tij zoti Basha e bëri gjatë një takimi mesditën e së dielës në Elbasan. “Ata që nuk ende nuk kuptojnë si u vodhën zgjedhjet nga regjimi Rama-Doshi, le të vijnë në Elbasan, ku krerë të policisë morën në mbrojtje bandat që blinin vota” tha zoti Basha. “Hajdeni në Elbasan të kuptoni vjedhjen më të madhe në histori dhe masakrën zgjedhore nga Rama-Doshi” u shpreh disa herë ai.
Kreu demokrat tha se ekipi i tij dinjitoz në Elbasan u ndesh me botën e errët që ka bërë bashkë pushtetin më të korruptuar në 30 vite histori pluralizëm me bandat e krimit të organizuar.”Elbasani tashmë nuk njihet si qyteti i Normales, nuk njihet si qyteti i Festës së Verës, por njihet ashtu siç janë detyruar ta pranojnë edhe vet krerët më të lartë të institucioneve të ligjzbatimit në vend, si kryeqyteti i krimit. Kjo është e vërteta” tha zoti Basha.
“Ne e dimë fare mirë, siç e dinë të gjithë shqiptarët, se krimi dhe pushteti në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë janë bërë njësh jo thjesht dhe vetëm për përfitimet personale dhe vetjake materiale të bosëve të krimit të organizuar, por për këtë transaksion të pastër ku në këmbim pushtetarët e korruptuar nuk marrin vetëm paratë pjesën e tyre të trafiqeve të drogës dhe trafiqeve të tjera të paligjshme, por marrin mbështetjen kriminale në proceset zgjedhore” tha kreu i PD.
Ai shprehu vendosmërinë se PD nuk do të bjerë në paqe me këtë realitet. “Kush mendon se ne do të ulim kokën para këtij realiteti, kush mendon se ne do të bashkëpunojmë me autorët e këtij realiteti, me Edi Ramën, dhe çirakun e tij në Elbasan e kudo tjetër, e ka gabim. Kjo nuk ka për të ndodhur. E kundërta do të ndodhë. E vetmja rrugë për të çliruar Elbasanin dhe qytetarinë e Elbasanit, për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nuk është ajo e bashkëpunimit me regjimin Rama-Doshi, por e bashkimit e të gjithë forcave, të gjithë atyre 680 mijë shqiptarëve që na ndoqën me fuqinë e zemrave të tyre dhe çdo shqiptari tjetër që e ka kuptuar se nuk ka të ardhme për këtë vend pa u bërë të gjithë bashkë dhe pa e rrëzuar një orë e më parë regjimin Rama-Doshi” tha zoti Basha.
“Dua t’ju them se kokat duhet t’i kemi lart. Nuk ka forcë politike në Ballkan të mbetur që nga koha e rrëzimit të regjimeve komuniste që të ketë fuqinë që demonstroi Partia Demokratike në Shqipëri përballë këtij regjimi” tha më tej lideri i opozitës. “Betejën nuk e kemi nisur thjesht dhe vetëm për pushtetin e Partisë Demokratike ndonëse e dimë siç e dinë shumica e shqiptarëve se nën drejtimin tonë Shqipëria e ka të hapur rrugën e ndryshimit për çdo shqiptar. Betejën e nisëm për shqiptarët e thjesht, për ata që sot janë nën dëshpërim dhe zhgënjim, në depresion dhe në zemërim dhe presin me sytë nga ne se çfarë do të ndodhë” tha kreu i PD Lulzim Basha.
Ai bëri thirrje për atë që e quajti bashkimi i madh i shqiptarëve për ndryshim, në mënyrë që çdo shqiptar të ndihet i fituar. “Atëherë të jeni të sigurt që nuk ka forcë të na ndal për ta çuar këtë betejë deri në fund” tha zoti Basha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




