Roth: BE duhet të japë vendimin e Konferencës për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut

Këshilli i ministrave të jashtëm dhe për çështjet e BE është mbledhur sërish për të diskutuar kuadrin e negociatave dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Ndryshe nga disa ditë më parë kur Komisioneri Varheli paralajmëroi se vendimi mund të merrej edhe vetëm për Shqipërinë, ministri gjerman për çështjet europiane deklaroi para takimit se të dy vendet kanë përmbushur detyrimet dhe është radha e BE-së që ta bëjë këtë tani. Sipas tij, çështjet dypalëshe mund të zgjidhen jashtë vendimit të 27 vendeve anëtare.
“Një temë tjetër me rëndësi thelbësore është zgjerimi. Stabiliteti, prosperiteti, paqja, pajtimi, sundimi i ligjit janë të një rëndësie thelbësore për të gjithë ne në BE. Situata mbetet e brishtë në Ballkanin Perëndimor. BE-ja duhet të mbajë premtimet e saj dhe ne duhet t’i zbatojmë zotimet tona. Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur detyrimet tashmë, kjo është arsyeja pse BE duhet të përmbushë detyrimet e saj. Ne duhet të fillojmë bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur dhe shpresoj se mund të zgjidhim problemet bilaterale në nivelin dypalësh, jo vetëm në nivelin e BE-së. Bashkimi Europian mban përgjegjësi të veçantë për 27 shtete anëtare dhe BE dhe Gjermania mbeten të përkushtuara për të bërë çmos për të arritur rezultatet. Është koha dhe shpresoj të kemi një diskutim të mirë, konstruktiv sot në formatin tonë si ministra për Evropën” tha zoti Roth.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




