Basha me banorët në Kombinat: Ne do t’i japim fund kalvarit tuaj të vuajtjeve!

Politikë | 6 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilluar sot një takim me banorë dhe biznese në Njësinë 6 në Kombinat. Lideri demokrat garantoi se pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, si kryeministër i vendit, sipas tij do të përfundojë procesi i rindërtimit, duke i dhënë fund vuajtjeve të familjeve që kanë humbur banesat e tyre në 26 nëntor të vitit 2019. “Rindërtimi është kthyer në një skemë abuzimi, vjedhje dhe shpërdorimi. Kjo është arsyeja kryesore dhe arsyeja e vetme pse njerëzit po vuajnë. Se këta edhe rindërtimin e kanë parë si një mundësi për të vjedhur njerëzit. Si një mundësi për të mbush xhepat e tyre. Unë ju garantoj që qeverisja e ardhshme do të ketë ekspertë që do të përshpejtojnë dhe do t’i japin fund procesit të zvarritur të të gjithë familjeve të dëmtuara nga tërmeti sipas kërkesave të tyre, jo sipas planeve të oligarkëve dhe të hajdutëve. Prandaj 25 prilli është një ditë ndryshimi për të gjithë dhe është një ditë fitoreje edhe për familjet e goditura nga tërmeti. Ne do të bëjmë procesin transparent, do ta përshpejtojmë. Ne do t’i japim fund kalvarit tuaj të vuajtjeve”, premtoi kreu i PD.
Gjatë bashkëbidedimit me qytetarë të zonës kreu i PD Basha tha se ndryshe nga kryeministri Rama, ai vjen me një plan angazhimesh që do të realizohen pas 25 prillit. “Kanë 8 vjet në pushtet. Sa herë vijnë zgjedhjet premtojnë, asnjëherë nuk i kanë mbajtur premtimet. E nisëm bisedën dhe ju përmenda. Premtoi 300 mijë vende pune, çoi 300 mijë e kusure shqiptarë në azil. Premtoi shëndetësi falas, po e shikoni, tani që erdhi pandemia i kanë dalë petët lakrorit por ju e dini 8 vite me radhë sa keq ka qenë shëndetësia se lekët e shëndetësisë i ka marrë dhe ja ka dhënë një grushti oligarkësh. Premtoi legalizime falas, të njëjtën gjë premtoi edhe me tërmetin, të njëjtën gjë premtoi edhe me pandeminë edhe në kohën e pandemisë me tendera sekretë vodhi lekët e shqiptarëve në vend që t’ju jepte ndihmë. Kur vjen koha e zgjedhjeve hap thesin e premtimeve boshe. Me mua s’ka premtime. Më fal. Me mua s’ka premtime. Ne kemi dy vjet që punojmë për një plan. Dy vjet kemi që punojmë për këtë plan me ekspertët më të mirë shqiptarë dhe të huaj që na mbështesin. Nuk ka premtime.” tha ndër të tjera zoti Basha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme