Kryemadhi takime me të rinjtë, prezanton programin e LSI-së

Politikë | 6 vite më parë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me të rinj në Kombinat prezantoi projektin “mëso dhe fito” për punësimin e kësaj kategorie.

Në fjalën e saj, Kryemadhi tha se “një tjetër investim i yni është taksa 1% që ne kemi vënë për të ardhmen. Duket si e vogël por krijon një efekt, një impakt goxha të madh për buxhetin për arsimin. A duhen taksuar më shumë të pasurit më shumë për taksën e arsimit? Ndoshta po. Por le ta fillojmë njëherë sepse nuk taksohen. Ta fillojmë njëherë të vendosim një taksë 1 për qind, që nuk është vetëm për të pasurit, por kushdo do ta paguante taksën e arsimit, në momentin që do të shikonte që kjo do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në arsim”.

Sipas saj, “mungesa e një vizioni nga ana e qeverisë nuk është se ne na krijon hapësira për të rritur punësimin, për të rritur cilësinë e arsimit, për të krijuar hapësira më shumë për vende të reja pune të mirëpaguara, përkundrazi i demoralizon njerëzit”.

“Ne kemi 5 prioritete, shumë të thjeshta, të cilat janë të prekshme dhe të realizueshme menjëherë, duke filluar nga 5 për qind rimbursim të shpenzimeve familjare.  Më pas për të vazhduar te projekti ‘Mëso dhe Fito’ i të rinjve që është një nga projektet shumë më të mira, për shkak sepse të rinjtë që janë në shkollat profesionale kanë mundësi që edhe të rriten profesionalisht, por njëkohësisht edhe të paguhen dhe të kenë mundësi të ndihmojnë familjen e tyre, ose edhe veten e tyre ekonomikisht”, tha ajo.

Sa I përket programit ‘Nga bebja në bebe’, Kryemadhi tha se “shumë prej nesh kemi qenë në dilema kur kemi filluar të ndërtojmë familjet tona, sepse kemi menduar se ç’do të ndodhë me fëmijët tanë. Dhe në momentin që ne e eliminojmë një dileme të tillë për të ardhmen e fëmijëve tanë, sigurisht që motivimi i brezit të ri do të jetë shumë më i madh për tu rritur profesionalisht dhe ekonomikisht”.

Një shoqëri që nuk mendon për të ardhmen e vet, normal që do të jetë e destinuar për të ‘vdekur’, ose për t’u shuar, prandaj edhe ne si LSI fokusohemi shumë tek rinia. Ne jemi një parti që e mbajmë fjalën, na pëlqen të punojmë me të rinjtë. Mua personalisht më pëlqen të punoj me të rinjtë për shkak të energjisë, pozitivitetit që kanë, por edhe ëndrrave”, tha ajo.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme