Ruçi pret Osmanin: Të mos lejojmë që e vërteta për Kosovën të përmbyset para syve tanë!

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot znj. Vjosa Osmani, Presidente në detyrë Kryetare e Kuvendit, e Republikës së Kosovës, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri.
Pasi i uroi mirëseradhjen në Kuvendin e Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi, vuri në dukje se kjo vizitë, shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos për bashkëpunimin parlamentar, i cili është shumë i mirë, por duhet të vazhdojë të zgjerohet e fuqizohet.
“Kosova po përjeton periudhë zhvillimesh dramatike për të ardhmen dhe prestigjin ndërkombëtar të saj. Ne vlerësojmë qëndrimin dinjtoz të drejtuesve tëinstitucioneve të Republikës së Kosovës dhe gatishmërine e plotë të tyre për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën e luftës së madhe për shpëtimin e popullit të saj nga krimet monstruoze dhe gjenocidi i Serbisë.Ne nuk duhet të lejojmë që të njolloset imazhi i Kosovës, i luftës së saj çlirimtare dhe i përpjekjeve për t’u ndërtuar, njohur e integruar si shtet i pavarur.Vepra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, e arritur me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe NATO.Për çlirimin e Kosovës NATO dhe fuqitë perëndimore për herë të parëhynë në një luftë, e cila u vlerësua si “ndërhyrje humanitare. UÇK-ja dhe populli kosovar kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. E vërteta është se Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta.Drejtësinë e kësaj lufte e ka vërtetuar koha. Shqipëria është e bindur se të gjitha akuzat kunder udhëheqësve të luftës së drejtë të Kosovës, që fatkeqësisht bazohen në raportin-plagjiaturë të Dick Marty, kujtimet e prokurores Karla del Ponte dhe raportin e prokurorisë serbe,nuk janë të bazuara në prova, por në shpifje e fantazi të sëmura.Kërkohet unifikimi i qëndrimeve politike e kombëtare të të gjitha institucioneve, forcave politike dhe zërave publikë, kombëtarë e ndërkombëtarë, të Kosovës dhe për Kosovën. Të mos lejojmë qëe vërteta e Kosovës të përmbyset dhe dosja e Kosovës të hiqet nga tryeza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Te Presidenti Biden, Kosova ka një mbështetës edhe më të fuqishëm qëe njeh mirërajonin dhe Kosovën.”, theksoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
Presidentja në detyrë, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, falenderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për bashkëpunimin, ndihmën dhe kontributin e Shqipërisë në mbështetje të Kosovës. “Ne duhet të bashkëpunojmë qe e vërteta për Kosovën të mos përmbyset para syve tanë. Duhet të tregojmë e ritregojmë të vërtetën e Kosovës. Duhet të punojmë për të kundërshtuar dhe rrëzuar argumentet e Serbisë që të mos njihet Kosova derisa të përfundojë dialogu. Duhet tua bëjmë të qartë të gjithëve se dialogu Kosovë-Serbi nuk është për statusin e Kosovës. Ne vlerësojmë kontributin dhe zërin e Shqipërisë në institucionet dhe mjediset ndërkombëtare ku Kosova nuk është e pranishme.”, nënvizoi znj. Vjosa Osmani.
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe Presidentja në detyrë, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, biseduan edhe mbi bashkëpunimin midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës si edhe shkëmbimin e përvojave në fushën e reformave, integrimit europian etj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




