Meta: Koha për restart! Të rivendosim demokracinë dhe llogaridhënien!

Presidenti Ilir Meta përkujtoi sot në Ditën e Rinisë ata që 30 vjet më parë u përplasën me regjimin komunist dhe frymëzuan popullin për kryengritje paqësore. Ai ju drejtua me një thirrje të fuqishme të rinjve që të marrin në dorë fatet e vendit. Mes të tjerash Meta theksoi se tashmë është koha për restart.
Postimi i plotë i presidentit Ilir Meta
Gëzuar 8 Dhjetorin 1990!
Të bekuarën Ditën Kombëtare të Rinisë, Ditën e Studentëve, Ditën e Misionarëve që vranë frikën për të ndezur Pishtarin e Lirisë dhe Demokracisë në vendin e shqiponjave!
Sot përulemi me mirënjohje të veçantë ndaj Lidershipit Heroik të Azem Hajdarit dhe atyre djemve e vajzave, të cilët u përplasën të parët me Dhunën e regjimit, duke frymëzuar një popull të tërë për kryengritje paqësore.
Nderojmë shpërthimin e vullkanit të guximit marramendës rinor për të përmbysur regjimin më të ashpër izolues dhe shtypës në kontinent, por ndihemi dhe po aq borxhlinj që në tre dekada nuk kemi bërë aq sa duhet për të qenë aty ku e meritonin sakrificat e tyre.
KOHA PËR RESTART! 🇦🇱
Për rivendosjen e Demokracisë dhe Llogaridhënies!
Për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa!
Unë besoj shumë në shpirtin energjik të të rinjve të Shqipërisë dhe në fuqinë e aftësive të tyre për ta transformuar dhe përmirësuar cilësisht të ardhmen e popullit tonë.
KOHA PËR RESTART! 🇦🇱
Për të guxuar! Për t’u bashkuar! Që Rinia të marrë në dorë fatet e saj dhe të mbarë vendit!
Nëse jo Rinia, kush tjetër? Nëse jo sot, kur?
DO T’IA DALIM ME SUKSES SEPSE NUK KEMI RRUGË TJETËR! 🇦🇱
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




