Basha për biznesin, garanton liberalizim të ekonomisë dhe ulje taksash

Ulje taksash, të çmimit të energjisë dhe naftës, janë masat e para që do të marrë Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit për të mbështetur biznesin, garantoi Kryedemokrati Luzim Basha sot në nje takim me bisnesin fason në Lezhe. “Ky është plani ynë. T’i japim çdo sipërmarrësi 200 mijë lekë të vjetra për çdo punonjës që rikthen në punë. Për shembull në qofte se ti ke pasur 40 dhe ke hequr gjysmën apo më shumë të marrësh 200 mijë lekë të vjetra për këdo nga ata që do rikthesh në punë për 6 muaj. Pra, kjo është ndihma e parë. Ndihma e dytë që mund t’ju japim është akses në kredi me garanci nga shteti, me një interes jo më të lartë se 2%, ku bie fjala për shpenzime operative apo investime kapitale. Në qoftë se ju duhet për të marrë borxh, për të marrë rrogat e punonjësve, 0%”, tha Basha.
“Me ju në krah, me të gjithë shqiptarët e ndershëm në krah, pavarësisht prej bindjeve politike do bëjmë të mundur që taksat e shqiptarëve të shkojnë në radhë të parë te shqiptarët. Se të gjithë nga ju paguani taksa. Kushdo paguan taksa. Edhe ajo TVSH-ja që paguan kur blen ushqimet, prapë shkon në buxhetin e shtetit. Për çfarë harxhohet? Kjo është çështja. Unë ju jap fjalën që prioriteti absolut do të jetë ndihma financiare për çdo familje dhe ndihma për ekonominë. Pastaj edhe kjo puna në mes të pandemisë, ju nuk punoni, vijnë ju sjellin prapë taksat, gjobat, çdo gjë, faturat”, premtoi Basha.
Sipas Bashës, Qeveria aktuale nuk ka krijuar klimë miqësore për biznesin, duke cuar në falimentimin e shumë prej tyre.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




