PD akuzon maxhorancën se po përpiqet të fusi në kaos listat e zgjedhësve duke ndryshuar ligjin

Kronikë | 6 vite më parë

PD e opozitës akuzoi të enjten maxhorancën se me ndryshimin e ligjit për Gjendjen Civile ka ndërmarrë përpjekjen e radhës për të legjitimuar kaosin në listat e zgjedhësve. 
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në një dalje para mediave tha se, “ndryshimi i fundit i ligjit të Gjendjes Civile me ndikim në zgjedhje, vetëm 5 muaj para zgjedhjeve, ‎ndryshim me të cilin Qeveria heq sanksionet ‎për mosdeklarim të vendbanimit, janë vetëm një përpjekje e radhës e Ramës që të legjitimoje shkeljet dhe kaosin e listave të zgjedhësve”.
“Çdo manipulim në regjistrat e Gjendjes Civile është manipulim i listave të zgjedhësve. Edi Rama po i kthen standardet e zgjedhjeve tek niveli skandaloz i viteve 2000-2003” tha zoti Bylykbashi.
Ai i quajti manipulime të trasha që po dalin mbi ujë. Zyrtari i lartë i opozitës premtoi se këto përpjekje “do të bllokohen dhe shkelësit e ligjit deri tek nëpunësit e Gjendjes Civile që falsifikojnë të dhënat do të përgjigjen”.
“Presidenti i Republikës ia ktheu mbrapsht këtë ligj me shkelje të standardeve të zgjedhjeve. Me shumë të drejtë ai ngriti alarmin për këtë përpjekje për manipulim ‎të listave nga Qeveria. Por Edi Ramës nuk i shohin sytë kur afron humbja e zgjedhjeve. Kur ka frikë se humb ai përpiqet të shkatërrojë zgjedhjet‎. Pavarësisht tentativave të dëshpëruara, më 25 prill 2021 ai thjesht humb” tha ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme