Meta pret kryetarin e komunës së Bujanocit: Integrimi i shqiptarëve ndikon pozitivisht në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë!

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim vëllazëror kryetarin e Komunës së Bujanocit, z.Nagip Arifi.
Kreu i shtetit vlerësoi rolin e partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës dhe përgëzoi të gjithë shqiptarët atje për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Serbi, duke fituar tre deputetë. Njëkohësisht zoti Meta bën me dije se tregoi interes për gjendjen shëndetësore të bashkëkombasve tanë në Luginë në përballje me pandeminë COVID-19.
Presidenti Meta, theksoi faktin se shteti shqiptar gjithnjë ka kërkuar që trajtimi i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të bëhet në përputhje me standardet më të përparuara ndërkombëtare dhe demokratike për pakicat, duke i konsideruar ato si ura lidhëse mes popujve tanë.“Integrimi i plotë i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës qendrore, por edhe në atë vendore, si dhe respektimi i të drejtave të tyre ndikon pozitivisht edhe në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë”, u shpreh kreu i shtetit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




