Osmani pret në takim Pendarovskin, diskutuan rreth hapave për ta avancuar të ardhmen evropiane të dy shteteve

Kosovë | 3 vite më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur të enjten në takim Presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, i cili zhvilloi një vizitë në Kosovë.

Zonja Osmani u shpreh se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, janë urë lidhëse ndërmjet dy shteteve dhe shtyllë e stabilitetit e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Pasi konfirmoi marrëdhëniet e shumë të mira mes dy vendeve, Osmani theksoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe të integruar në Bashkimin Evropian.

Kryetarja e Shtetit deklaroi se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese. “Procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon dhe në këtë rrugë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëra-tjetrën”, u shpreh Osmani.

Sipas deklaratës së publikuar nga zyra e Presidentes, Osmani vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut. “Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, – u shpreh Osmani gjatë takimit me homologun Pendarovski.

Sipas Presidentes, Kosova ka treguar angazhim serioz në procesin e reformave, ndaj e meriton statusin e vendit kandidat në BE. Të dy liderët rikonfirmuan thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Presidenti i Maqedonisë së Veriut u prit edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme