Bullgaria drejt zgjedhjeve të gjashta në tri vite pas përplasjeve brenda qeverisë

Europë | 3 vite më parë

Bullgaria është afër skenarit të zgjedhjeve të parakohshme, të gjashtat në vetëm tri vite, për shkak se partia e dytë më e madhe e vendit nuk ka pranuar të formojë qeverinë.

Majin e kaluar, konservatorët e partisë GERB (Qytetarët për Zhvillimin Demokratik të Bullgarisë) dhe liberalët e Vazhdojmë Ndryshimin (PP) ranë dakord të krijojnë kabinetin qeverisës me modelin e rotacionit çdo nëntë muaj.

Por PP-ja me liderin dhe ish-kryeministrin Kiril Petkov thotë se nuk do propozojë më emra për qeverinë, ndërsa partia më e madhe në vend, GERB, nuk kanë arritur të gjejnë mbështetje tjetër për koalicionin.

Partnerët në qeverisje përplasen prej muajsh për ndarjen e pozicioneve burokratike, reformën në drejtësi, organet antikorrupsion dhe shërbimet sekrete. Z. Petkov ka fajësuar kryetarin e GERB-it, Bojko Borisov (o. Boyko) “se ka frikë nga mëkatet e vjetra dhe preferon një eksplozion [politik] në Bullgari“. Nga ana e tij, ish-kryeministri Borisov ka deklaruar se “deri në momentin e fundit, PP-ja ka mbajtur qëndrime poshtëruese, kanë dashur të uzurpojnë pushtetin“.

Të dyja partitë kanë pranuar se përfundimi i këtij ngërçi mund të vijë pas zgjedhjeve të reja në muajt e ardhshëm – vendim ky që do të vononte më tej reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Situata politike në vend pritet të komplikojë përpjekjet e Bullgarisë për t’i integruar me BE-në, teksa vendi synon t’i bashkohet edhe zonës Shengen gjatë vitit në vijim dhe të pranojë euron si monedhën kryesore.

Bullgaria është edhe një shtet anëtar në NATO dhe një furnizues i rëndësishëm i Ukrainës me armatime. Opinionistët shprehen se trazirat e mundshme do të promovonin retorikën proruse nga krahët më ekstremë politikë në vend. /FT, Bloomberg

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme