Ish-diplomatja amerikane: Vuçiçit i duket vetja president i “botës serbe”, nuk i kontribuon dialogut

Ish-diplomatja amerikane, Jennifer Brush, e cila ka shërbyer si zëvendësshefe e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK ka deklaruar se për sa kohë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç “e sheh veten si president të ‘botës serbe’, ai s’mund të jetë negociator i ndershëm në asnjë tryezë”.
“Sa i përket [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, ai nuk është zgjedhur për të bërë marrëveshje me Serbinë; ai është zgjedhur për të luftuar për Kosovën. Ai ka obligime ndaj elektoratit të tij dhe do të shkojë në një rund të ri zgjedhjesh së shpejti”, thotë Brush.
Brush, e cila ka shërbyer edhe si zëvendësshefe e misionit në Ambasadën e SHBA-së në Beograd ka shpjeguar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, se Perëndimi duhet të rrisë më tepër presionin mbi Serbinë, sepse, sipas saj, është Serbia ajo që mund të bëjë më shumë për të destabilizuar rajonin dhe jo Kosova.
Ajo ka theksuar më tej se Vuçiç ka qenë zëdhënës i Millosheviçit dhe sipas Brush, ai nuk ndryshon dot qasje ndaj Kosovës.
“Ai do që ta mbajë Kosovën kështu siç është. Nëse e përcillni shtypin në gjuhën serbe, Kosova është pjesë e ‘botës serbe’[v.j. ‘bota serbe’ e ka burimin tek ideologjia nacionaliste serbe, e cila synon krijimin e një shteti serb me përfshirje të të gjithë serbëve në Ballkan]”, u shpreh Brush.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




