Lista Serbe: Ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbim të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe”

Kosovë | 3 vite më parë

Kryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Zlatan Ellek, ka thënë të shtunën se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbim të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.  

Ellek theksoi se të gjithë ata që gëzojnë të ardhura  nga Serbia janë në rrezik. Sipas tij rreth 100 mijë serbë në Kosovë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i autoriteteve kosovare për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb. 

Kryetari i Listës Serbe thotë se largimi i dinarit nga sistemi i pagesave nënkupton vënien e serbëve në një “pozitë të padurueshme” dhe se është një “prelud i eksodit total të popullit serb” në territorin e Kosovës. Ai tregoi se në bisedimet me bashkësinë ndërkombëtare, Lista Serbe nënvizoi se “qëllimi përfundimtar i Qeverisë në Prishtinë është spastrimi etnik i serbëve”, dhe se në një takim me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, ata shprehën frikën e tyre që rrjedh nga vendimi për shfuqizimin e dinarit. 

Lista Serbe njoftoi se do t’u dërgojë një letër ambasadorëve të vendeve të QUINT pasi jane vende  qe janë “drejtpërdrejt përgjegjëse për multietnicitetin” në Kosovë dhe “do të jenë bashkëpunëtore të drejtpërdrejta, nëse do të ketë një eksod të popullit serb nga Kosova”. 

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme, hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të saj.

Gazetare Amela Koçerri

/ rtsh.al /

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme