Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, KMDLNJ: Ata që rrezikojnë të mos udhëtojnë përmes Serbisë

Kosovë | 3 vite më parë

Autoritetet serbe arrestuan të premten ish-ushtarin e UÇK-së, Hasan Dakaj.

43-vjeçari nga Prizreni u ndalua në Merdarë, në pikën kufitare midis Kosovës e Serbisë, herët në mëngjes teksa udhëtonte me vëllanë e tij drejt Italisë.

Organet shtetërore reaguan duke nisur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila njoftoi se “janë aktivizuar të gjithë mekanizmat institucionalë” dhe janë njoftuar partnerët ndërkombëtarë.

“Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut,” njoftoi Ministria.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) iu bashkëngjit reagimeve institucionale në fundjavë, duke thënë se ndalimi i Dakajt nuk ishte “arrestimi i parë dhe as i fundit i ushtarëve të UÇK-së”.

Sipas KMDLNJ, para katër viteve u arrestua po me këtë pretekst edhe Nezir Mehmetaj, i cili ende mbahet në burgjet e Serbisë.

“KMDLNJ disa herë përmes reagimeve publike kishte kërkuar që të gjithë ata që mund të arrestohen mos të udhëtojnë nëpër Serbi aq më parë që kanë shumë mundësi tjera udhëtimi, pa qenë e nevojshme kalimi nëpër Serbi. Kush ka dëgjuar ka kaluar më mirë. Kush nuk ka dëgjuar është përballur dhe po përballet me procese gjyqësore që edhe po zgjasin shumë sikur që janë të kushtueshme materialisht.

Për shkak të mungesës së bashkëpunimit me Serbinë, autoritetet kosovare nuk kanë mundësi të sigurojnë mbrojtje efektive juridike e as të monitorojnë trajtimin e tyre gjatë mbajtjes në arrest, qoftë në paraburgim, qoftë gjatë vuajtjes së dënimit. Autoritetet kosovare, në pamundësi të sigurojnë përkrahje për të arrestuarit, shqiptarë dhe shtetas të Kosovës, mjaftohen me deklarata publike politike duke kërkuar ndihmë nga ndërkombëtarët,” thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme