Për herë të parë në histori, në janar Maqedonia e Veriut me kryeministër shqiptar

Për herë të parë në histori, nga janari i vitit të ardhshëm, qeveria e Maqedonisë së Veriut do të drejtohet nga një kryeministër shqiptar.
Pasi partitë politike të vendit fqinjë u takuan një ditë më parë dhe ranë dakord për mbajtjen në datën 8 maj 2024 të zgjedhjeve parlamentare, në bazë të marrëveshjes së koalicionit qeveritar mes BDI-së së Ali Ahmetit dhe LSDM-së se drejtuar nga kryeministri aktual Dimitar Kovacevski, 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, vendi do të qeveriset nga një qeveri teknike me një kryeministër nga radhët e BDI-së.
“Vendosëm në takim që në datën 24 prill të mbahet raundi i parëi zgjedhjeve presidenciale dhe në 8 maj të mbahet raundi i dytë i tyre si dhe zgjedhjet parlamentare. Sipas ligjit, qeveria teknike do të krijohet në datën 28 janar. Dhe si kryeministër, do ta përmbush këtë detyrim ligjor”.
VMRO DPMNE në opozitë, e drejtuar nga Hristjan Mickoski, kishte kërkuar që të mos kishte qeveri teknike.
“Çështja e qeverisë teknike u hap në këtë takim, dhe nga ajo që u dëgjua, nuk ekziston konsensus që të mos krijohet një qeveri e tillë, pse ne si opozitë e kemi kërkuar këtë.
Kovacevski ndërkohë u shpreh se në takim, partitë politike kishin shprehur konsensus të gjerë për ndryshimet në kodin zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, që kanë të bëjnë me financimin e partive dhe çështje tjera për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Por opozita shqiptare u largua nga mbledhja pas braktisjes së saj nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi, i cili, sipas opozitës shqiptare nuk kishte dashur të bisedonte në lidhje kërkesën e saj që të përfaqësohej me një anëtar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




