Takimi në Bruksel, Vuçiq: Përfundoi pa sukses. Kurti po i shmanget formimit të Asociacionit

Kosovë | 3 vite më parë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic) ka deklaruar se takimi i zhvilluar sot (14 shtator) në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka përfunduar pa sukses, në drejtim të gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Të gjithë kemi propozimet tona, shqiptarët kanë të tyret, ne kemi tona, në fund ne si Serbi e pranuam propozimin e kompromisit të BE-së, Kurti nuk deshi ta pranonte dhe takimi përfundoi”, tha Vuçiq.

Ai deklaroi se kryeministri i Kosovës po përpiqet të shmangë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Është e qartë se Kurti po i shmanget formimit të Asociacionit dhe kjo është thelbi i gjithçkaje, Serbia nuk po ikën nga obligimet e saj, por ne thamë, jo vetëm ne, por edhe BE-ja, si duhet të vazhdojnë gjërat. Përkundër asaj që nuk është aspak e lehtë për ne, pranuam, kurse Kurti refuzoi dhe kështu përfundoi gjithçka”, tha Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Më pas u zhvillua edhe takimi tre palësh. Kryeministri i Kosovës nuk ka reaguar ende në lidhje me rezultatin e këtij takimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme