Daçiq për SHBA: Serbia nuk mund ta dëgjojë për njohjen e Kosovës

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq (Ivica Dacic) ka shfrytëzuar festën e Ditës së Amerikës në parlamentin serb, ngjarje e organizuar nga Kongresi për miqësi serbo-amerikane, për të thënë se Serbia nuk mund të dëgjojë SHBA-në për njohjen e Kosovës.
Teksa ka pranuar se është një avokat i raporteve më të mira të mundshme me Shtetet e Bashkuara, Daçiq tha se kushdo që tenton t’i bëjë presion Beogradit që të njohë Kosovën, nuk do të ketë sukses.
“Një qasje e tillë për çështjen e zgjidhjes së situatës në Kosovës nuk do të ketë kurrë sukses. Ne kemi nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit dhe vazhdojmë të jemi partner konstruktiv në dialog,” tha ai.
Më tej kryediplomati serb foli për raportet që kanë shtetet perëndimore dhe SHBA me vendin e tij.
“Kur ka qenë hera e fundit kur një president amerikan ka vizituar Serbinë? Shumë nga ne as që ishim në jetë. Kryeministrja e fundit e Britanisë që na vizitoi ishte Margaret Thatcher. Ata kanë vizituar të gjitha shtetet e tjera, a mendoni se ata nuk e vizitojnë Serbinë veç pse nuk është e fortë? Jo, si mundet që ne të kemi një raportet partneriteti me shtetet që nuk janë në interesin tonë,” tha ai.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por dy shtetet që nga viti 2011 zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve. Ky proces ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Gazetare: Heriselda Dyrmishi
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




