Kurti thirrje Shkupit: Mbani afër shqiptarët, larg Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këshilluar qeverinë e Maqedonisë së Veriut të evitojë afrimin me Serbinë, pasi nuk do të ishte në interesin e saj euroatlantik.
Deklaratën, Kurti e bëri nga komuna e Tetovës në vazhdën e vizitës në Maqedoninë e Veriut.
Sipas kreut të qeverisë kosovare, Shkupi duhet të përkrahë një të ardhme me miq si Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, që kanë si aleate NATO-n, BE-në dhe SHBA-në.
“Maqedonia e Veriut sa më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa më larg Serbisë, e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq ma afër ajo, pra aq më afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut,” u shpreh Kurti gjatë një tubimi në Tetovë.
Maqedonia e Veriut e ka njohur Republikën e pavarur të Kosovës që herët dhe marrëdhëniet ndërshtetërore mes tyre janë të gjithanshme.
Kurti ftoi shqiptarët e Maqedonisë dhe anembanë botës të punojnë për më shumë demokraci, liri dhe mirëqenie.
“Ta ndihmojmë e përkrahim njëri-tjetrin, për hir të njëri-tjetrit jo kundër ndokujt tjetër. Dhe ne ia kemi dëshmuar edhe vetës edhe të tjerëve këtë, si gjatë gjithë historisë ashtu edhe para dy dekadash, kur mijëra shqiptarë nga Kosova të dëbuar gjatë luftës më 1999 nga gjenocidi, u strehuan nga vëllezërit e motrat e tyre shqiptarë të të gjitha këtyre anëve,” deklaroi Kurti.
Kryeministri Kurti vizitoi edhe komunën e Çairit në Shkup, ku mori pjesë në përurimin e riemërimit të një rruge me emrin e veprimtarit kosovar, Adem Demaçi.
Ai kërkoi të premten që punimet për ndërtimin e një rruge që e lidh Prizrenin me Tetovën të nisin sa më shpejt, sepse rruga Prizren–Tetovë do ta ndihmonte dukshëm zhvillimin e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




