Marrëdhëniet Kosovë-Serbi/ Lajçak: Marrëveshja e Ohrit, moment historik, por me zgjedhjet në veri “shkelëm në mina”

I Dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka konsideruar marrëveshjen e Ohrit, të firmosur mes Kosovës dhe Serbisë, si një moment historik për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në një intervistë për gazetën “Kurir” në Beograd, Lajçak u shpreh se kjo marrëveshje u “minua” nga zgjedhjet lokale që u mbajtën në komunat në veri të Kosovës. Lajçak thekson se aktualisht, BE është përqëndruar më shumë te menaxhimi i krizës sesa normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Marrëveshja e marsit është një moment historik në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne e dimë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por ka shumë “mina tokësore” përgjatë kësaj rruge që ne nuk duhet të shkelim. Zgjedhjet lokale të prillit ishin një dhe për fat të keq ne i kemi shkelur ato. Aktualisht fokusi ynë nuk është te normalizimi, por te menaxhimi i krizës”, tha Lajçak.
Kujtojmë se zgjedhjet në veri të Kosovës u zhvilluan pa pjesëmarrjen e Listës Serbe. Vendosja e kryetarëve shqiptar në ndërtesat e Komunave e përshkallëzoi edhe më shumë situatën, duke u pasuar me protesta të dhunshme nga komuniteti serb.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




