Tensionet Kosovë-Serbi/ DASH sërish thirrje për shtensionim. Borrell, i alarmuar nga ngjarjet e fundit

Rajon | 3 vite më parë

Në një prononcim për shërbimin në serbisht të Zërit të Amerikës, Departamenti Amerikan i Shtetit i ka kërkuar sërish Kosovës dhe Serbia të ndërmarrin hapa urgjentë në shtensionimin e situatës dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes të cilave edhe lirimi pa kushte i tre policisë kufitarë të Kosovës që mbahen të ndaluar në Serbi.

Ndërkohë në një postim në Twitter, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka shprehur shqetësim të thellë me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime të jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur prej retorikës së rëndë nga Serbia.  Pavarësisht takimeve të djeshme të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, tha Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u takua të enjten në Bruksel me Borell, shpjegoi se marshimit të FSK-së që po i referohej Borell ishte një stërvitje rutinore e planifikuar në bazë vjetore për të cilën ishte informuar edhe KFOR. 

Për arrestimet e serbëve, Kurti tha se nxjerrja para drejtësisë e të dyshuarve për krime ishte përgjegjësi e organeve të drejtësisë dhe si kryeministër ai nuk mund të përfshihej në hetime dhe arrestime.

Më e ashpër në reagimin e saj ndaj deklaratës së Borell ishte Ministrja e jashtme Donika Gërvalla e cila shtroi pyetjen nëse Borell po bënte thirrje për mosndëshkim të atyre që sulmuan forcat paqeruajtjes të KFOR-it gjatë protestave të dhunshme në Zvecan.

“Mos vallë BE po bën thirrje që të mos ndëshkohen ata që sulmuan NATO-n? Policia ka prova të qarta se personi i arrestuar mori pjesë në sulmin ndaj forcave të NATO-s në datën 29 maj. Arrestimi u krye në bazë të nenit 71 të kodit të procedurës penale të Kosovës prandaj nuk ka asgjë jashtëgjyqësore”. 

Një ditë më parë, policia e Kosovës njoftoi arrestimin në Mitrovicën e Veriut të shtetasit Nenad Orllovic për të cilin tha se kishte prova dhe dëshmi për përfshirje në aktet e dhunës së datës 29 maj, ku u lënduan 30 forca të KFOR.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme