Stoltenberg thirrje për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë: Palët t’i kthehen dialogut

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë sërish thirrje për shtensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo thirrje vjen në rritje së tensioneve mes dy vendeve pas arrestimit nga forcat serbe të tre policëve të Kosovës, javën e kaluar.
Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka qëndruar në Berlin ku është pritur nga kancelari gjerman Olaf Scholz. Pas takimit, Stoltenberg ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të shtensionojnë tensionet dhe t’i kthehen dialogut.
“Kemi diskutuar edhe për situatën në Kosovë. Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara është i palëkundur. Forcat tona, KFOR-i, do të vazhdojnë të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë çdo hap të mëtejshëm përshkallëzues dhe t’i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Stoltenberg për gazetarët në Berlin pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Si Kurti edhe Vuçiç duket se nuk janë shprehur të gatshëm të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Bashkimi Evropian për këtë javë.
Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.
Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviç.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




