Manja: Reforma në Drejtësi, investimi më i madh i qeverisë shqiptare kundër korrupsionit!

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka deklaruar se investimi më i madh i qeverisë shqiptare në fushën e shtetit të së drejtës është lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë nëpërmjet Reformës në Drejtësi.
Deklaratën e tij zoti Manja e bëri në Forumin e Prespës për Dialog që po mbahet prej së enjtes në Strugë, të Maqedonisë së Veriut.
Zoti Manja mbajti një fjalë në panelin mbi çrrënjosjen e korrupsionit përmes politikave të mirëqeverisjes dhe Reformës në Drejtësi.
Si Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit të Shqipërisë, institucionit që udhëheq të gjithë politikat qeveritare për të çrrënjosur korrupsionin në administratën publike, Manja theksoi faktin se, investimi më i madh i qeverisë shqiptare në fushën e shtetit të së drejtës është lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë nëpërmjet Reformës në Drejtësi.
“Po ashtu edhe në administratën publike nëpërmjet mekanizmit të Drejtorisë Antikorrupsion dhe digjitalizimit të shërbimeve publike, ku Shqipëria është vendi lider në rajon, me 1277 shërbime që ofron online për qytetarët e saj”, shtoi ai.
Ministri Manja u shpreh se, Forumi për Dialog krijoi mundësinë, jo vetëm për të folur mbi përvojat e secilit vend, por mbi të gjitha për të gjetur zgjidhje të reja për probleme të përbashkëta të rajonit për të forcuar qeverisjen e mirë dhe transparencën në vendimmarrje.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




