Situata në veri/ Grenell: Kurti ka përshkallëzuar më tej situatën duke mos pranuar kërkesat e SHBA-së dhe BE-së

Ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar për arrestimin e organizatorit të sulmeve ndaj KFOR-it në veri të Kosovës i cili nxiti protestat e serbëve në rrugë duke përshkallëzuar më tej situatën.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Grennel akuzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mosbashkëpunim me SHBA dhe BE, duke mos iu përgjigjur kërkesave të këtyre të fundit për të qetësuar situatën dhe për nisjen e menjëherëshme të zgjedhjeve të reja.
Me tone të ashpra Grendëll shkruan se kryeministri i Kosovës nuk iu kërkesave të SHBA dhe BE duke përshkallëzuar më tej situatën mes palëve.
“Joe Biden dhe evropianët vendosën një vijë të kuqe javën e kaluar. Ata thanë se Albin Kurti duhet të deeskalojë dhe të nisë menjëherë zgjedhjet e reja. Mëngjesin e sotëm Kurti u ka treguar ‘gishtin e mesit’ dhe e ka përshkallëzuar më tej situatën. Një tjetër vijë e kuqe kaloi, vendet nuk e respektojnë Joe Biden“, shkruan Grenell.
Policia e Kosovës ka arrestuar organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it në veri të Kosovës, veprim i cili ka nxitur edhe protestat e serbëve në rrugë.
Nga ana tjetër Kryeministri i Kosovës Albin Kurti paraqiti sot një plan me 5 hapa që do të sillte uljen e tensioneve në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në plan përfshihej edhe dënimi i autorëve që sulmuan forcat e KFOR-it në veri, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për 4 komunat dhe ulja në tryezën e dialogut të Prishtinës dhe Beogradit.
Kujtojmë se serbët në 3 komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, janë ngritur në protesta prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




