Zgjedhjet në Mal të Zi/ Abazoviç: Do jemi pjesë e qeverisë, kemi rritur përfaqësimin e shqiptarëve

Pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Dritan Abazoviç, Mali i Zi po mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare, prej të cilave pritet të zgjidhet qeveria e re.
Nga ana e tij, Abazoviç shprehet se partia që ai drejton ka dhënë kontribut të madh për Malin e Zi, dhe sipas tij, koalicioni i partisë URA me partitë e tjera do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhshme në Malin e Zi.
“Mendoj se është herët me fol, por jam i bindur se koalicioni jonë do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhme. Çfarë nënkupton ajo, do ta shohim në javët e ardhshme”, pohoi ai.
Gjithashtu, Abazoviç deklaroi se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më parë më mirë sesa tani. Sipas tij, ata nuk kanë pasur ndonjëherë përfaqësim më të madh sesa tani në qeveri apo në institucionet e ndryshme.
Deri pasditen e sotme në Mal të Zi kanë votuar 35.1 për qind e votuesve ose rreth 190.750 qytetarë, bëri të ditur Qendra për Tranzicion Demokratik (CDT).
Në Mal të Zi këto janë zgjedhjet e treta brenda nëntë muajve dhe të parat pa Milo Gjukanoviçin si lider të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), i cili pas tri dekadash është tërhequr pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ka pësuar humbje nga kandidati i lëvizjes, “Evropa Tani”, Jakov Millatoviç.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




