Mali i Zi mban sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Qytetarët në Malin e Zi do të vendosin ditën e sotme për qeverinë e tyre të re. 542 468 qytetarë me të drejtë vote do të shprehin vullnetin e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të gjashtat që nga rivendosja e pavarësisë së vendit në një referendum në vitin 2006.
Këto votime pritet të përcaktojnë nëse vendi i vogël, anëtar i NATO-s do të tejkalojë ndasitë e thella politike si dhe paqëndrueshmërinë që kanë penguar rrugëtimin e tij për t’iu bashkuar bllokut europian.
Në listën e votimit janë 15 parti dhe koalicione që nga ato që janë pro perëndimore dhe deri tek ato që janë pro serbe dhe pro ruse.
Sondazhet dhe analistët parashikojnë se Lëvizja Europa tani, e drejtuar nga eksperti financiar Milojko Spajic dhe presidenti aktual Jakov Milatovic, ka shumë gjasa të fitojë shumicën e votave por jo mjaftueshëm për të arritur të ketë një mazhorancë absolute në parlament.
Spajic, 37 vjeç, një ish ministër finance që në 2021 paraqiti reforma ekonomike ku u përfshi rritja e pagës mesatare, tashmë premton rritje të mëtejshme të pagave dhe shtatë orë punë në ditë në vend të tetë orëve që kohëzgjatja aktuale e ditë së punës.
Partia Demokratike e Socialiste, e drejtuar dikur nga Gjykanovic, ka pësuar një rënie të mbështetjes popullore pas tre dekadash që ka dominuar politikën e vendit.
Pjesë e listës së votimit është edhe koalicioni “Forumit Shqiptar”, i përbërë nga Alternativa Shqiptare (AA), Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Bashkimi Kombëtar i Shqiptarëve. Ajo udhëhiqet nga kreu i AA-së dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeljoshaj.
Në zgjedhje marrin pjesë edhe “Koalicioni i Bashkuar për Reforma” pjesë e të cilit është edhe kryeministri në detyrë Dritan Abazovic, si dhe një koalicioni pro rus dhe pro serb i quajtur “Për të ardhmen e Malit të Zi”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




