Tensionet në veri, Vuçiç paralajmëron bisedime me serbët e Kosovës

Rajon | 3 vite më parë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar bisedime me serbët në veri të Kosovës. Bisedimet priten të zhvillohen nga 9 deri më 12 qershor ndërsa tensionet në veri të Kosovës po vazhdojnë.

Duke u ndalur shkurtimisht në situatën në veri, Vuçiç falënderoi serbët në veri, që sipas tij po luftojnë për të drejtat e tyre, sipas REL.

“Dua t’i falënderoj ata që po luftojnë për të drejtat e tyre në mënyrë paqësore dhe të dinjitetshme. Është e rëndësishme që të mbahet paqja dhe të bisedohet me të gjithë”, tha Vuçiç.

Në tre komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe situata e sigurisë është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kanë marrë zyrtarisht detyrën.

Serbët lokalë në këto tri komuna që atëherë po organizojnë protesta para ndërtesave komunale.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të shtensionojë menjëherë situatën në veri, duke ia paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë zonë si dhe kthimi në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i hapur që në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të mbahen zgjedhje të reja, por fillimisht sipas tij duhet të përgatitet “terreni” për mbajtjen e tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme