Tensionet në Kosovë/ BE, 3 kushte: Zgjedhje të reja lokale, sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve, Asociacioni! Pasoja nëse s’përmbushen

Kosovë | 3 vite më parë

Zgjedhje të reja lokale në veri, sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit janë tre kushtet e BE-së për Kosovën dhe Serbinë.

Kështu ka bërë me dije përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një postim në Twitter, pas takimit të zhvilluar në Moldavi ku të pranishëm ishin Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

Në postimin e tij, Borrell thekson se nëse do të dështohet të përmbushen këto kushte, atëherë do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.

“Kemi 3 kërkesa të qarta: – Zgjedhjet e reja lokale tani; Sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës; Fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, shkruan Borrell.

Zgjedhje të reja lokale në komunat në veri të Kosovës kërkuan edhe Franca dhe Gjermania, pas takimeve të ndara që zhvilluan me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.

Ndërkohë, edhe Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të saj, ndërsa u shpreh se organizimin e zgjedhjeve të reja e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe se mund të bëhet përmes një peticioni që mund ta inicojnë qytetarët serb të komunave veriore.

Situata në veri të Kosovës u tensionua më 26 maj, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe,  të hyjnë në zyrat komunale. Kjo u pasua me protesta të dhunshme ku për pasojë 30 ushtarë të KFOR-it mbetën të plagosur në Zveçan.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme