Fitoi zgjedhjet, por Mitsotakis s’pranon ta ndajë pushtetin! I kthen mandatin Presidentes, Greqia sërish drejt zgjedhjeve

Rajon | 3 vite më parë

Ndonëse partia e tij fitoi zgjedhjet, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis do të kthejë mandatin e marrë nga Presidentja Katerina Sakellaropoulou për të formuar një qeveri koalicioni.

Në një takim me presidenten në Pallatin Presidencial pak pas mesditës, kryeministri grek tha se duke qenë se nuk ekzistojnë kushtet për formimin e qeverisë së koalicionit, ai do të kthejë mandatin pasditen e së hënës (22 maj).

Ai shtoi se sipas sistemit të proporcionalitetit të zgjeruar që do të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme, Demokracia e Re do të marrë një “shumicë të fortë”.

Sipas mediave greke, Mitsotakis ka kontaktuar me krerët e partive të tjera, Alexis Tsipras, Nikos Androulakis, Dimitris Koutsoubas dhe Kyriakos Velopoulos, ku i ka propozuar datën 25 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme.

Me kthimin e mandatit nga Mitsotakis, Presidentja e vendit do t’ja kalojë partisë së dytë që mori rezultatin më të lartë në zgjedhje, SYRIZA, dhe nëse Alexis Tsipras nuk arrin të formojë një qeveri, siç ka gjasa, do t’i kalojë më pas partisë së vendit të tretë, PASOK.

Nëse asnjë parti nuk arrin të formojë një koalicion, Presidentja do të emërojë një qeveri të përkohshme për ta çuar vendin në një votim të ri rreth një muaj më vonë./ Kathimerini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme