Garë e ngushtë në zgjedhjet presidenciale turke

Rajon | 3 vite më parë

Sipas rezultateve paraprake, në Turqi ka një garë të ngushtë në zgjedhjet presidenciale, mes presidentit aktual, Recep Tayyip Erdogan, dhe liderit opozitar, Kemal Kilicdaroglu, shkruan Radio Europa e Lirë.

Sipas medias shtetërore, Anadolu, me 44 për qind të votave, Erdogan prin me 52.4 për qind të votave, ndërkaq Kilicdaroglu ka fituar 41.7 për qind.

Megjithatë, Anka, një agjenci private e lajmeve, që njihet se ka afërsi me opozitën, ka raportuar se Kilicdaroglu është në epërsi me 47.4 për qind të votave, bazuar në 31.3 për qind të votave të numëruara. Sipas kësaj agjencie, Erdogan ka fituar 46.8 për qind të votave.

Pas publikimit të rezultateve paraprake nga Anadolu Agency, lideri i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu shkroi në Twitter se ai është duke kryesuar në garën presidenciale.

“Ne jemi përpara”, shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq, një zëdhënës i Partisë Popullore Republikane (CHP) të Kilicdaroglut, tha se sipas të dhënave të brendshme, opozita ka shënuar rezultate “pozitive”.

“Ne po shohim një pamje pozitive, bazuar në të dhënat tona”, tha zëdhënësi i CHP-së, Fail Oztrak.

Më 14 maj, Turqia mbajti zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, që po konsiderohen si votimet më të rëndësishme në historinë moderne 100-vjeçare të shtetit.

 

( Sipas Radios Europa e Lirë )


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme