Vuçiç pas takimit me Lajçak: Kurti po provokon konflikte, po krijon tensione në veri

Rajon | 3 vite më parë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, gjatë takimit të mbajtur këtë të premte (12 maj) me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ka shprehur shqetësimin për situatën në Kosovë dhe kryesisht në veri të vendit.

Vuçiç përcolli tek i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, se shqetësimi i tij buron nga nevoja e Kryeministrit kosovar Albin Kurti për të shkaktuar incidente dhe për të provokuar konflikte, raporton Tanjug.

“Dhe ai pasioni i jashtëzakonshëm me të cilin Kurti dëshiron të fillojë një lloj lufte, një konflikt në të cilin ai do të ishte një hero i madh shqiptar”, tha Vuçiç në konferencën për shtyp.

Ai shtoi se gjëja e fundit që bëri Kurti me shpronësimin e tokës, është në kundërshtim edhe me rregulloren e Prishtinës.

Kryenegociatori Petar Petkoviç, bëri me dije se në takimin që kanë mbajtur me Lajçak, kanë diskutuar rreth raundit të ardhshëm të dialogut në Bruksel, si dhe situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, duke iu referuar posaçërisht tensioneve që kanë katër komuna në veri.

Ai ka shkruar në Instagramin e tij se ka shprehur shqetësimin e tij për dhunën e përditshme institucionale dhe çdo dhunë tjetër që ushtron regjimi i Prishtinës ndaj popullatës serbe, si dhe veprimet e paarsyeshme, të njëanshme të politikanëve shqiptarë që kërcënojnë paqen. Po ashtu, Petkoviç, shprehu shqetësim edhe për tentativën për marrjen me dhunë të komunave në veri të Kosovës, por edhe tentativa për shpronësim dhe kapje të paligjshme të tokës serbe, deri në shpërbërjen e njëanshme të Ekipit Menaxhues për ZSO.

“Beogradi as nuk dëshiron dhe as nuk ndërmerr hapa që mund të çojnë në tensione dhe kriza të reja në terren, por do të vazhdojë të ruajë paqen dhe stabilitetin si vlerat më të larta, dhe përgjegjësia e vetme për shkaktimin e krizave është e Prishtinës. Pavarësisht nga të gjitha sfidat, ne do ruajmë popullin tonë në Kosovë”, ka shkruar Petkoviç.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme