Tensionet me Turqinë/ Ministri i Jashtëm grek: Duam të bashkëpunojmë, por s’mund të pajtohemi me politikën ekspasioniste

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Niko Dendias ka deklaruar se ekzistojnë mundësi reale për përmirësimin e raporteve me Turqinë pas tensioneve të shumta midis dy vendeve.
Dendias ka theksuar se Athina zyrtare nuk është as e vetëkënaqur dhe as naive në marrëdhëniet me Ankaranë.
Sipas Dendiasit, qeveria greke pret që qeveria e ardhshme turke të ndjekë po ashtu një politikë kontstruktive me Athinë.
“Nuk jemi të vetëkënaqur, as naivë, as nuk ndjekim politikë qetësimi. Ne kemi përgjegjësinë për të mbajtur të hapur një dritare mundësie për qeverinë e ardhshme greke – që ne besojmë se do të ketë një të tillë dhe për qeverinë e ardhshme turke, që të përpiqet me një qasje më të re për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona” , është shprehur Dendias në një intervistë për radiostacionin “Alpha 989”.
Dendias vuri në dukje se ka nevojë për një qasje realiste për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Ai shtoi se nëse Anakaraja kërkon një qasje hegjemoniste, atëherë sipas tij, Greqia nuk mund të pajtohet me një politikë të tillë.
“Kjo presupozon nga ana e Ankarasë dhe qeverisë së re një qasje realiste ndaj mosmarrëveshjes sonë. Nëse është një qasje ekspansive dhe hegjemoniste brenda rajonit më të gjerë, Greqia sigurisht që nuk mund të pajtohet. Nëse është një qasje brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare, ka hapësirë të mjaftueshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona. Unë besoj thellësisht se ne nuk jemi të dënuar të jemi në një marrëdhënie rivaliteti me Turqinë. Besoj se është më e thjeshtë të jesh në një marrëdhënie të mirëkuptimit të përbashkët në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Por siç thuhet duhen dy vetë për të kërcyer tango”, u shpreh Dendias.
Në lidhje me çështjet e energjisë, ai vuri në dukje se Greqia ka “ vendosur që Egje është një industri turistike dhe jo një vend kërkimi hidrokarburesh ”. Me rastin e Ditës së Evropës, ai theksoi se “askush nuk dyshon në pjesëmarrjen e Bashkimit Sovjetik të atëhershëm në betejën dhe fitoren kundër nazizmit”.
“Ne i kemi njohur të gjitha këto, si dhe kontributin e madh në letërsi, poezi dhe muzikë. Gjithçka është atje, por ka edhe pushtimin barbar të Ukrainës. Pala ruse mund të ketë menduar se ata mund të rrëzojnë qeverinë Zelensky në 3-4 ditë dhe të instalojnë një qeveri tjetër në Kiev, por këtu u konfirmua se është e lehtë të nisësh luftëra, por është e vështirë t’i mbyllësh dhe t’i japësh fund ato”, theksoi ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




