Gërvalla për Asociacionin: Ky rajon mjaft e ka një Republikë Serbe, s’ka nevojë për një të dytë

Rajon | 3 vite më parë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlic Radman, ka thënë se modeli kroat i rregullimit të pakicës serbe mund të shërbejë si shembull edhe për Kosovën.

“Ky model është promovuar përmes ligjit kushtetues për të drejtat e pakicës dhe është i suksesshëm si i tillë. Ndoshta mund të shërbejë si një shembull. Natyrisht se ishte i vlerësuar në lidhje me anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian. Ky model ka rezultuar me sukses tek ne, por të gjithë ata që dëshirojnë ekzitojnë modele të shumta në botë, që mund të shfrytëzohen. Ndoshta nuk janë të suksesshme në disa situata, kjo është çështje tjetër, po ashtu sa mund të zbatohen në sisteme të tjera varet nga shtetet”, tha ministri kroat në konferencën e përbashkët me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Nga ana e saj  ministrja Gërvalla tha se Kosova u jep shumë më shumë të drejta pakicave, nga se ofrojnë modelet e prezantuara, dhe se disa prej modeleve që iu janë paraqitur nga ndërmjetësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak nuk vijnë në shprehje, pasi shkelin vijat e kuqe të Kosovës që ka në dialog. 

” Ne i kemi trajtuar modelet i kemi parë cilat janë ato, të cilat nuk vijnë në shprehje pasi shkelin vijat e kuqe që kemi në këtë dialog. Asnjë lloj formacioni, asociacioni apo mekanizmi nuk mund të implementohet në Kosovë nëse shkel sovranitetin e vendit, kushtetutën e vendit dhe funksionalitetin e Kosovës. Këto tre elemente janë bazë për funksionimin e një shteti. Çfarë kemi parë në Bosnje dhe Hercegovinë me Republikën Serbe të instaluar atje, një bllokim të tërësishëm të funksionimit të shtetit nuk ka për të ndodhur në Kosovë. Ky rajon mjaft e ka një Republikë serbe, nuk ka nevojë për një të dytë. Prandaj modelet që janë paraqitur paraqesin elemente të pranueshme në suazat e rregullimit tonë kushtetues dhe prej tyre do të përpiqemi të zgjedhim elementet më të mira” tha Gërvalla.  

Ministri kroat vuri theksin dhe tek avancimi i dialogut dhe mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, në BE.

“Avancimi i raporteve më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm, ne presim hapa përpara, dhe presim qe Kosova të jete stabile. Përshëndesim marrëveshjen për personat e zhdukur. Ne qe 30 vite kërkojmë  më shumë se 3000 persona të zhdukur”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman ndodhet në Kosovë në kuadër të një vizite zyrtare. Pas takimit me ministren Gërvalla do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme