New York Times artikull për Vuçiç: Nga lidhja me botën e krimit, te huliganët e Futbollit dhe “Shtëpia e tmerreve”

New York Times në një artikull të publikuar të mërkurën (4 maj), si pjesë e një investigimi nga Robert F. Worth, shkruan se presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka pasur lidhje me bosin e grupit të krimit të organizuar Veljko Belivuk i njohur si Velja Nevolja arrestimin e të cilit ai e njoftoi drejtpërdrejt në TV kombëtar në fillim të vitit 2021.
NYT në artikullin e saj risjell në vëmendje konferencën për shtyp të Presidentit Vuçiç me Ministrin e brendshëm, teksa njoftuan çmontimin e një bande krimi, përgjegjës për vrasje të shumta, dhe arrestimin e kreut të kësaj bande, Veljko Belivuk, i mbiquajtur Problemi, figurë e njohur në Beograd.
“Ai ishte akuzuar më parë për vrasje dhe një sërë krimesh të tjera të rënda, por kurrë nuk kaloi shumë kohë në burg. Ai u përfol se kishte marrëdhënie komode me policinë dhe shërbimet e inteligjencës serbe. Ai dhe njerëzit e tij ishin fotografuar në shoqërinë e njerëzve të fuqishëm, përfshirë djalin e presidentit, Danilo Vuçiç”, thuhet në artikullin e New York Times.
Po ashtu sikurse monedha ka dy anë, edhe Belivuk dha versionin e tij në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, duke thënë se banda e tij ishte organizuar “për nevojat dhe me urdhër të Aleksandar Vuçiçit”.
Ai përshkroi disa nga punët e pasme që banda pretendonte se kishte bërë për qeverinë, si frikësimi i rivalëve politikë dhe ndalimi i tifozëve që të këndonin kundër Vuçiçit në ndeshjet e futbolli. Belivuk paralajmëroi se “nëse Vuçiç vazhdon procedurat e tij kundër meje, do të kem shumë më tepër për të thënë”.
Por nga ana e tij, Vuçiç kundërshtoi me zemërim çdo lidhje me vrasësit.
“Unë e ftoj atë të më vrasë. Nuk kam asnjë problem me këtë, sepse është më mirë të kthehesh në mish të grirë sesa të lihen këta bastardë të sundojnë Serbinë”, tha Vuçiç.
Por rëndësia e çështjes Belivuk qëndron diku tjetër. Sipas NYT, kjo çështje e ka detyruar të gjithë Serbinë të përballet me provat e shumta rrethanore se Vuçiç ka lejuar që gangsterët të bëhen një krah virtual i shtetit. Mbështetja që Belivuk dhe miqtë e tij morën nga policia dhe ministria e brendshme gjatë dekadës së fundit është dokumentuar mjaft në dëshmitë e gjykatës, përgjimet telefonike dhe fotografitë
Në fakt, arrestimi i Belivuk dhe bandës së tij mund të jetë një nga vendimet e pakta kyçe të viteve të fundit që Vuçiç nuk i kontrolloi. Pjesa më e madhe e provave në këtë rast vjen nga një ekip zyrtarësh të policisë evropiane, të cilët u përplasën me të rastësisht. Ata kaluan dy vjet duke u përpjekur të dekriptonin një aplikacion për mesazhe telefonike të quajtur Sky-ECC, i cili ishte një jet i preferuar i trafikantëve të kokainës në portet e kontejnerëve të Evropës Veriore.
Pjesa më e madhe e provave të Sky rezultuan të ishin nga Ballkani, dhe veçanërisht nga Serbia.
Një tjetër aspekt që cek artikulli është formësimi i karakterit të Presidenti Serb, duke nisur nga prirjet e dhunshme, te konflikti i dhunshëm me shqiptarët.
Në artikull një personazh i lidhur me presidentin serb, rrëfen një episod të një ndeshje futbolli, ku presidenti serb ka qenë pjesë e një grupi huliganësh të cilët synuan goditjen e shqiptarëve etnike
“Huliganët më të vjetër i thanë B. dhe miqve të tij që të gjenin një grup të ngjashëm të rinjsh që mbështesnin ekipin tjetër kryesor të Beogradit, Partizanin, dhe t’i sfidonin ata në luftime ‘për të parë se kush është trim dhe kush jo’. Të gjithë huliganët e rinj në tribunën veriore ishin nacionalistë të rinj, tha B., përfshirë Vuçiçin. Ndër thirrjet ishte “Serbi, jo Jugosllavi”. Pas një loje në vitin 1988 dëgjuam për një përplasje mes serbëve dhe shqiptarëve etnikë. Shkuam “për të gjuajtur” shqiptarët në Beograd pas një loje, me shpresën se do të thyenim disa dyqane dhe t’u jepnim një mësim shqiptarëve. Përfunduan duke bërë sherr në rrugë. Presidenti Vuçiç ishte gjithashtu në këtë sherr”, thotë artikulli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




