Petkoviç: Heqja e Ekipit Menaxhues çon në shfuqizimin e ZSO-së dhe dialogut Kosovë-Serbi

Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ka komentuar vendimin e qeverisë së Kosovës për shkarkimin e 4 pjesëtarëve të Ekipit Menaxhues për themelimin e Asociacionit. Petkoviç deklaron se vendimi i Kryeministrit Albin Kurti është i njëanshëm dhe i paligjshëm.
“Prishtina e udhëhequr nga Albin Kurti sapo ka marrë një vendim të njëanshëm dhe të paligjshëm për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues që hartoi Statutin e ZSO-së dhe e prezantoi atë dje në Bruksel, për të cilin as Kurti dhe as i ashtuquajturi ministër i tij për Vetëqeverisje Lokale nuk kanë të drejtë”, tha Petkoviç, raporton Tanjug.
Sipas këtij të fundit, me vendimin e sotëm (3 maj) Kurti ndërpreu procesin e formimit të ZSO-së 10 orë pas fillimit të dialogut mes dy vendeve, Kosovë-Serbi.
Petkoviç u shpreh se kryeministri i Kosovës nuk kërkon formimin e Asociacionit, por shmangien e këtij detyrimi të rëndësishëm.
“Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e Projekt Statutit të ZSO-së, por ekipi drejtues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të ZSO-së, deri në themelimin e Komunitetit. Është e qartë se me këtë vendim skandaloz, Kurti e ndërpreu procesin e formimit të ZSO-së vetëm dhjetë orë pasi, pas 10 vitesh, më në fund filloi formalisht dialogun. Tani supozoj se është e qartë për të gjithë se Kurti nuk dëshiron të formojë ZSO-në dhe se ai dëshiron të shmangë në çdo mënyrë këtë detyrim më të rëndësishëm”, ka thënë Petkoviç.
Sipas tij, “me lëvizje të tilla të detyruara, Kurti pa mëdyshje tregon se nuk dëshiron as paqe e as dialog”.
Pak më parë, qeveria e Kosovës shkarkoi nga detyra katër anëtarët serbë që ishin të ngarkuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




