Takimi i 2 majit/ Krasniqi: Pjesëtarët e Ekipit Menaxhues për Asociacionin nuk i’u përgjigjën ftesës

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se qeveritë e mëparshme kanë marrë tri vendime lidhur me “Ekipin Menaxhues për Hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe”. Krasniqi u shpreh se sipas vendimit të 2020-ës, ky ekip duhet t’i raportojë Ministrisë që ai drejton.
“Më lejoni t’ju informoj se për këtë ekip janë gjithsej tri vendime të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale të tri autoriteteve të ndryshme, të cilat janë bazuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Vendimi i parë është marrë në qershor të vitit 2013, në kohën e qeverisë Thaçi. Vendimi i dytë është marrë në qershor të vitit 2016, në kohën e qeverisjes së Mustafës. Vendimi i tretë është marrë në shtator të vitit 2020, në kohën e qeverisjes së Hotit”, ka thënë Krasniqi, raporton Tanjug.
Krasniqi pretendon se vetëm dy anëtarë të përbërjes fillestare kanë mbetur të pandryshuar, ndërsa bëri me dije më tej se ka ftuar në takimin e 19 prillit pjesëtarët e Ekipit Menaxhues, por asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur ftesë së tij.
Kujtojmë se ky ekip, do të prezantojë më 2 maj në Bruksel draft-statutin për formimin e Asociacionit në takimin që do të mbahet mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




