Fitoi zgjedhjet presidenciale, premton Milatoviç: Në 5 vitet e ardhshme Mali i Zi do jetë në BE

Kandidati për president i Lëvizjes “Evropa tani”, Jakov Milatoviç ka fituar bindshëm zgjedhjet për Kreun e Shtetit. Sipas rezultateve të bëra publike nga Qendra për Monitorim dhe Hulumtim, Milatoviç mundi Gjukanoviçin me një diferencë bindëse prej 20 %, ose pak më shumë se 70 mijë vota.
Milatoviç arriti të fitonte rreth 60% të votave, ndërsa Gjukanoviç siguroi rreth 40% të votave.
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte 69,3 për qind. Në shifra absolute, Milatoviç fitoi rreth 230,000 vota, dhe Gjukanoviç rreth 160,000 vota.
Fituesi i zgjedhjeve presidenciale, Jakov Milatoviç ka deklaruar se kjo është një ngjarje të cilën e ka pritur më shumë se 30 vite, ndërsa shtoi se “është bërë një hap drejt një Mali të Zi më të pasur, më të barabartë, më të bukur evropian”.
“E shihni fuqinë e Malit të Zi të përbashkët dhe ky është vendi i të gjithë neve që prisnim një fitore të përbashkët. Sonte së bashku me të gjithë qytetarët i thamë lamtumirë vendimtare krimit, korrupsionit dhe lidhjes së politikës me krimin dhe korrupsionin – kurrë më. Dhe ne i thamë “mirëmëngjes” dhe “ditë të mirë” Malit të Zi të madh, të suksesshëm dhe evropian”, tha Milatoviç teksa ndodhej në shoqërinë e Dritan Abazoviç, Andrija Mandiç, Aleksa Beçiç dhe ish-kryeministri Zdravko Krivokapiç.
Teksa premtoi se do të jetë President i të gjithë qytetarëve, Milatoviç tha se në pesë vitet e ardhshme do ta çojë Malin e Zi në Bashkimin Evropian.
“Gjithashtu, nuk do të ketë më kurrë konflikte nga Mali i Zi ndaj asnjë vendi të Ballkanit Perëndimor, ne duam marrëdhëniet më të mira të mundshme me fqinjët tanë – duam unitet, harmoni dhe përparim në Ballkanin Perëndimor evropian. Këtu po themi se duam të merremi me tema me rëndësi jetike, ekonominë dhe BE-në dhe këto janë tri prioritetet tona kryesore”, theksoi Milatoviç.
Sakaq, kandidati presidencial i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviç, ka uruar Milatoviç për fitoren, ndërsa theksoi se do të vijojë luftën për një Mal të Zi civil, multietnik në çfarëdo pozite që ai mban.
“Mali i Zi zgjodhi, unë e respektoj atë zgjedhje. Unë e përgëzoj Jakov Milatoviqin, dua që ai të jetë një president i suksesshëm, sepse – nëse është – kjo mund të thotë se Mali i Zi mund të jetë një vend i suksesshëm. Ky është një rast për të falënderuar qytetarët që për pjesëmarrjen masive në zgjedhje kontribuan që në Mal të Zi të ketë një proces tjetër zgjedhor të besueshëm që i kontribuon reputacionit të Malit të Zi dhe çdo qytetari. Dua të falënderoj çdo qytetar që më besoi, e vlerësoi sinqerisht çdo votë. Dikur ato vota i mjaftuan mazhorancës, për momentin nuk janë, por për mua janë me vlerë sa një mal”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




