“Ballkani i Hapur”, Vuçiç: Deri në korrik do të kemi hequr lejet e punës! Kosova? Do bëj maksimumin për të shmangur një konflikt

Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia planifikojnë të realizojnë heqjen e lejeve të punës deri në korrik, për t’i lënë njerëzit dhe mallrat të qarkullojnë lirshëm, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.
Në një konferencë për shtyp pas takimit me kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitra Kovaçevski në kuadër të iniciativës që u mbajt në bashkinë e Bardolinit në Itali, Vuçiç theksoi se ky do të jetë një hap shumë i rëndësishëm për qytetarët e të tre vendeve.
“Deri në korrik do hiqen lejet e punës, gurë themeli për krijimin e tregut të Ballkanit të Hapur dhe do të jetë me shumë dobi për qytetarët. Njerëzit do të gjejnë punë në Beograd apo Tiranë dhe kjo nuk do të jetë më problem. Kjo vërteton se po flasim për 4 liritë e Europës”, tha Vuçiç.
I pyetur në lidhje me Kosovën, Vuçiç theksoi se do të bëjë maksimumin për shmangur një konflikt, teksa shtoi se për këtë po bashkëpunon edhe me kryeministrin Edi Rama.
“Po, ne nuk biem dakord për një sërë çështjesh sidomos për këtë. Por, unë nuk qortoj Edin, se ai nuk e bën këtë me mua. Ne mund të përgënjeshtrojmë veprimet e njëri-tjetrit por ‘s’bëjmë përplasje për bashkëpunim. Jam krenar që shqiptarët ndihen të sigurt dhe mjaft të mirëpritur. Është e njëjta gjë kur serbët ikin në Shqipëri. Pyetja ime retorike do ishte, po mirë, çfarë do bëjmë? Të zihemi më shumë, të kemi më shumë mosmarrëveshje, të bëjmë një Ukrainë tjetër apo çfarë? Shoh se ka shumë njerëz që presin të shohin një përplasje të madhe apo nuk e di se çfarë? Çfarë kërkoni nga ne? Për të gjithë qytetarët serbë dhe shqiptarë, unë do bëj maksimumin tim për ta shmangur, edhe Edi po bën të njëjtën gjë”, tha Vuçiç.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




