Marrëveshja e Ohrit/ Ekspertë dhe njohës të dialogut: Zbatimi do ketë vonesa

Njohësit e politikës dhe procesit të dialogut në Kosovë thonë se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit do të ketë zvarritje. Sipas tyre, zvarritja varet nga presioni i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Tetë ditë pas dakordimit në Ohër për aneksin e implementimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, palët ende nuk kanë nisur hapat konkretë për zbatim të ujdisë, përkundër disa afateve të caktuara në aneks.
Problematike për shtyrje të mëtejshme të zbatimit të marrëveshjes po konsiderohen pika 7 për Kosovën, ku flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb apo Asociacionin dhe pika katër për Serbinë, në të cilën potencohet mospengesa e saj për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Se mund të ketë vonesa në implementim të marrëveshjes e thotë edhe Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Në anën tjetër, në partinë opozitare, Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës e akuzon kryeministrin, Albin Kurti se po krijon terren për një pushtet të tretë për serbët e Kosovës në bazë të nenit shtatë të marrëveshjes bazë.
Gjatë kësaj jave, krerët institucionalë në Kosovë akuzuan Serbinë që nuk po respekton obligimet e marra nga marrëveshja bazë me 27 shkurt në Bruksel dhe nga aneksi i zatimit më 18 mars, duke iu referuar deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç se nuk do të lejojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Mirëpo, zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian, Peter Stano bëri të ditur të dielën se institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit së bashku me Kosovën e Serbinë.
/rtsh/
Gazetare: Teuta Shamku
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




