Shqipëri-Maqedoni e Veriut, avancohet bashkëpunimi për projektet rrugore

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po diskutojnë avancimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e ndërsjelltë të projekteve me interes të përbashkët të të dy shteteve në ndërtimin e akseve rrugore.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi zhvilloi ditët e fundit një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, ku u takua me drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi.
Fokus i takimit ishin projekti i Korridorit 8 dhe në akset rrugore e cila lidh Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas një statusi në rrjetet sociale të Autoritetit Rrugor Shqiptar “U shqyrtuan disa opsione të mundshme nëpër të cilën do të kalojë traseja deri në kufirin me Shqipërinë për gjetjen e pikës së përbashkët kufitare, me të cilën do të shkurtohet rruga për 20 kilometra”, tha ai.
Korridori 8-të është një nyje rrugore dhe hekurudhore që nis në Brindisi ne Itali, kalon nëpërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe përfundon në portet e Bullgarisë, që nga 1 dhjetor 2022 është pjesë e rrjetit strategjik të transportit Europian (TEN-T) dhe jo më zgjatim i tij.
Korridori VIII i përket Korridoreve Pan-Europiane të identifikuara dhe të përcaktuara në Konferencat Panevropiane mbi Transportin e mbajtur në Pragë (1991), Kretë (1994) dhe Helsinki (1997).
Që nga fillimi është konceptuar si një sistem transporti multi-modal që lidh Jugun e Italisë me Detin e Zi.
Ai përfshin portet detare dhe lumore, aeroportet, portet multi-modale, rrugët dhe hekurudhat, me një total prej 1270 km hekurudha dhe 960 km rrugë. Ai shkon nga portet jugore italiane të Barit dhe Brindizi në portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës, më pas përmes kryeqyteteve e Tiranës, Shkupit, Sofjes, përmes Plovdivit për të përfunduar në portet bullgare të Burgasit dhe Varna në Detin e Zi.
Një veçori shtesë e Korridorit VIII janë pikat fundore të tij, që të dyja janë porte detare duke lejuar lidhje të pandërprerë të BE-së dhe me rrjetin e transportit detar botëror.
Ai kalon nëpër vendet anëtare të NATO-s në të gjithë gjatësinë e tij. Në kontekstin aktual gjeopolitik, kjo specifikë e sigurisë e bën këtë aks mjaft strategjik për krahun jugor të NATO-s.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




