Grabiel Escobar do të marrë pjesë në takimin Kurti-Vuçiç në Ohër

Kosovë | 4 vite më parë

I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.  “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Escobar do të udhëtojë për në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të mbështetur këtë proces”, njoftoi Ambasada amerikane në Shkup për REL. 

Gjatë një konference për medait në Beograd, Escobar tha këtë të enjte se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit. “Mendoj që një gjë e tillë është plotësisht e mundur. Kjo marrëveshje nuk është diçka për t’u frikësuar. Shpresojmë se nuk do të ndryshojë rrënjësisht jetën e askujt, por se do të mundësojë një nivel të caktuar stabiliteti dhe paqeje për njerëzit në rajon. Synimi i saj nuk është të krijojë pengesa të reja. E kundërta. Ne dëshirojmë që kjo marrëveshje të jetë e mirë jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por sepse Serbia dhe Kosova janë në zemër të Ballkanit Perëndimor, për të krijuar mundësi edhe për fqinjët tuaj”, tha Escobar. Ai po ashtu tha se Asociacioni është një marrëveshje ekzistuese dhe një detyrim ndërkombëtar që duhet të zbatohet, “pavarësisht a do të ketë një marrëveshje të re apo jo”.  

Ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikë të Jashtme, Josep Borrell tha se takimi në Ohër do të bëhet për t’u dakordësuar për mënyrën se si duhet të zbatohet marrëveshja e propozuar nga bashkimi europian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai tha se diskutimet do të përqëndrohen në shtojcën për zbatimin e marrëveshjes që është një pjesë integrale e marrëveshjes dhe që mbart një kuptim të qartë se si duhet të zbatohen dispozitat, theksoi Borel.   

Qeveria e Kosovës ka refuzuar ta formojë Asociacionin, duke argumentuar se asociacionet njëetnike shkelin Kushtetutën e saj dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit. Megjithatë, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel më 27 shkurt, tha se ai ishte i gatshëm që gjatë takimit të Ohrit të nënshkruajë propozimin evropian, por Vuçiç sipas tij ishte shprehur se nuk i shkon “në mendje” të nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

 

/ rtsh /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme