Armatosja e ishujve grekë, Scholz hedh poshtë pretendimet turke

Nga Athina ku po zhvillon vizitën e tij të parë në postin e kancelarit të Gjermanisë, Kancelari gjerman Olaf Scholz hodhi poshtë këtë të enjte pretendimet e Turqisë mbi sovranitetin e ishujve grekë, shkruan RTSH.
Një partner i NATO-s “nuk duhet” të vërë në dyshim sovranitetin e një anëtari tjetër,” tha kancelari gjerman, Scholz, në një konferencë për media së bashku me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. “Të gjitha çështjet e tilla duhet të zgjidhen në bazë të ligjit ndërkombëtar”, tha kreu i shtetit gjerman, i cili është në vizitën e tij të parë në Greqi si kancelar.
“Është vërtetë një turp që (Presidenti turk Rexhep Tajip) Erdogan nuk mund ta shohë se po shkon drejt një ngërçi, kur helmon popullin e tij me gënjeshtra kundër Greqisë”, shtoi kryeministri grek, Mitsotakis.
Erdogan ka akuzuar kohët e fundit Greqinë për “pushtimin” e ishujve të Egjeut, statusi i të cilëve u zgjidh në traktatet e miratuara pas Luftës së Parë Botërore. Në përgjigje, Athina akuzon Turqinë për kryerjen e qindra fluturimeve të paligjshme ushtarake mbi ishujt. “Fqinjët tanë dhe të gjithë partnerët tanë e dinë se ishujt grekë nuk kërcënojnë askënd,” tha Mitsotakis. “Të gjithë e dinë se marrëveshjet ndërkombëtare nuk ndryshojnë përmes interpretimeve arbitrare. As historia nuk ndryshon përmes deluzioneve, apo gjeografia përmes hartave të falsifikuara.”
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara thanë se sovraniteti grek nuk ishte i diskutueshëm, pasi Turqia protestoi kundër vendosjes së automjeteve të blinduara greke në ishujt Lesbos dhe Samos të cilat janë përkundër marrëveshjeve të arrituara dekada më parë.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




