Protesta në Maqedoninë e Veriut kundër propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë

Rajon | 4 vite më parë

Disa mijëra qytetarë u mblodhën edhe të dielën në mbrëmje, për të dytën ditë radhazi, para ndërtesës së qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në Shkup , duke kërkuar nga qeveria e vendit që të refuzojë propozimin e dorëzuar nga presidenca franceze e BE-së për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes.

Tubimet mbështeten nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE , e cila kundërshton me forcë propozimin, duke pretenduar se ai “favorizon kërkesat bullgare që rrezikojnë historinë, gjuhën, identitetin dhe trashëgiminë kulturore të Maqedonisë së Veriut”.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, mbështeti propozimin e paraqitur nga presidenca franceze. Sipas Stevo Pendarovski, propozimi nuk cenon identitetin kombëtar dhe gjuhën e Maqedonisë së Veriut. Presidenti i vendit gjithashtu vuri në dukje se një “po” e mundshme për propozimin nga ana e Shkupit nuk duhet të perceptohet në vend as si një triumf dhe as si një humbje të plotë.

Qeveria e Dimitar Kovaçevskit në Shkup që nga e premtja ka filluar konsultime të gjera të brendshme për propozimin francez. Ai tha se qeveria do të shpallte qëndrimin e saj mbi propozimin pasi të përfundonin konsultimet.

Në kuadër të këtyre konsultimeve, Kovaçevski të dielën në Shkup ka takuar liderin e VMRO-DPMNE-së, Kristian Mickoski, ku ky i fundit ka ripërsëritur se propozimi është shumë i dëmshëm për vendin dhe duhet të refuzohet nga qeveria pa u menduar./ CNN.gr

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme