Gruevski dënohet sërish me 6 vite burg për shpërdorim detyre, konfiskohet selia 8-katëshe e partisë VRMO-DPMNE

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski është dënuar sërish me 6 vite burg për shpërdorim detyre. Gjykata Penale e Shkupit vendosi ta dënojë Gruevskin me 6 vite burg si dhe të konfiskojë selinë e VMRO-DPMNE-së e njohur edhe si ‘Pallati i Bardhë’. Aktualisht Gruevski është azilant në Hungari.
I dënuar është edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm, Kiril Bozhinovski me kusht me dy vite për rastin “Talir 2” që ka të bëjë me ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së.
“Janë fajtor për shkak se i akuzuari Gruevski, i cili ka qenë Kryetar i VMRO-DPMNE-së, bashkë me Bozhinovskin – Sekretar i Përgjithshëm i partisë, në mënyrë të jashtëligjshme kanë përfituar pronën. Në një situatë kur vijon përgjegjësia penale për veprimet e ndërmarra kundërligjore, dhe përfitimi është që sendet e përfituara nga kryerja e veprës penale, të konfiskohen si nga autori ashtu edhe nga persona të tretë. Mesazhi është i qartë se në të ardhmen asnjë person përgjegjës në parti politike, apo struktura të tjera të shtetit, nuk duhet të guxojë të kryejë këtë apo një vepër tjetër të ngjashme penale…”, tha gjykatësja Daniela Aleksovska Stojanovska.
Nikola Gruevski është dënuar më herët për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me kohën e tij si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016.
Më 11 prill 2022 Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) shpalli non-grata Gruevskin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




