Varhelyi vizitë në Ballkan, priten dozat e para të vaksinës antiCOVID-19 nga BE

Rajon | 6 vite më parë

“Unë do të jem në Ballkanin Perëndimor për të dërguar një mesazh të qartë. Ne kujdesemi për partnerët tanë dhe për personelin shëndetësor dhe shtresën më vulnerabël”, deklaroi komisioneri europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, në një mesazh duke njoftuar një vizitë në javët e ardhshme në vendet e rajonit me rastin e livrimit të vaksinave të para antiCOVID-19 të financuara nga BE.

Duke nisur nga java e ardhshme deri në gusht, Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të marrin 651 000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech për të siguruar personelin shëndetor dhe shtresën më të brishtë të popullsisë.

Për Varhelyin, livrimi i vaksinave konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Europian për të dhënë një ndihmë, ashtu si ka bërë që prej shpërthimit të pandemisë.

Vaksinat, të financuara në sajë të paketës së ndihmës prej 70 milionë euro, miratuar nga Komisioni dhjetorin e kaluar, u blenë me ndërmjetësimin e Austrisë përmes marrëveshjeve ligjore me prodhuesit dhe vendet partnere.

Varhely do të shkojë në Serbi të hënën pasdite, të martën ai do të jetë në Bosnjë-Hercegovinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe do të përfundojë vizitën e tij të mërkurën në Shqipëri dhe Kosovë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme